Po largohem nga qelia
Amanet e ke këtë letër
Fjalët do të mbeten të reja
Kur letra të jetë e vjetër
Në qelinë e dynjasë
Si dritare ty të pata
Mos e bëj hanën fajtore
Kur te ti më s’më sjell nata
Ata që ecin me këmbë
Udhërrëfyese hanën kanë
Ata që ecin me zemër
Në çdo rrugë vetë drita janë
Çdo hajduti i duhet drita
Për të vjedhur diç në jetë
Edhe pse haram është vjedhja
Drita mbetet e vërtetë
Jam hajdut, por s’më dënon
As kanuni, as sheriati
Vodha zemrën time nga vetja
E ta dhashë, rrugë tjetër s’pati.
Nga qelia e dynjasë
Po largohem për të mos u kthyer
Kafshatat e ashkut tonë
Në lot malli i kam ngjyer
Kështu është dynjaja xhanëm,
Kush i besoi, e ka gënjyer
Nëse të jep pak sherbet,
Gotën ka për të ta thyer
S’isha i fortë për të të mbajtur,
As i dobët për të të lënë
Faleminderit përjetësisht
Nga konaku që më ke përzënë
Nëse dikush të dëbon,
Gjendjen e tij ka dëshmuar
Por nëse n’konak i kthehesh,
dëbimin ke merituar
Po largohem nga qelia
Ku dikur na u përzien lotët
Kush e ndien vërtet Hyjnoren,
Do të ndahet nga të dy botët
Ndarja është copëz e takimit
E takimi është gjithë jeta
Një elif e zë fletën
Por elifin s’e zë fleta
Si një gotë qenka dynjaja,
Sherbet e mbush dashuria
Gota thyhet dhe harrohet,
Mirëpo kurrë s’harrohet shija.
○ Fatmir Muja